Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se porsa të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, do të nis punën për formimin e institucioneve të reja.

“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja. Konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit, apo Presidentes”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mërkurë.

Kosova, theksoi Kurti, “nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilin e kemi thënë e ripërsëritur para se ato të ndodhin”. “Sidoqoftë qytetarët folën sërish qartë”, potencoi ai.

Ai potencon se rezultati “duhet të pranohet e të respektohet dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike, të angazhuara e përkushtuara për zhvillim e për mirëqenie, arsim e shëndetësi, për siguri e mbrojtje, investim e prodhim, investime të mëdha infrastrukturore nga hekurudhat te digat e jo vetëm”.

Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit pritet që të certifikohen shumë shpejt. Tanimë janë numëruar të gjitha votat, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të ankesave.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhje me 47.13 për qind të votave, apo 382 mijë e 869 vota. Ky rezultat, ia ka siguruar VV-së 53 deputetë.

E dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës me 19.44 për qind, apo 157 mijë e 892 vota. PDK në legjislaturën e 11-të do të ketë 22 deputetë.

E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69 për qind, apo 135 mijë e 567 vota. LDK do të ketë 18 ulëse Kuvendi.

E katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 6.74 për qind, apo 54 mijë e 729 vota. AAK do ketë 7 deputetë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit u mbajtën për shkak të dështimit të deputetëve për ta zgjedhur Presidentin e ri.