Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes të cilës u ndalohet deputetëve të ndërmarrin çfarëdo veprimi, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë. Ky vendim vjen pas ankesës së deputetëve të Listës Serbe.

Aty thuhet se masa e përkohshme hyn në fuqi nga data 5 shtator.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 116 (2) të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit dhe rregullat 44, 45, 46 (2) dhe 48 (1) (d) të Rregullores së punës, më 4 shtator 2025, njëzëri

VENDOS

I. TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë;

II. TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025;

III. T’U’A KUMTOJË këtë Vendim palëve;

IV. TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;

V. Ky Vendim hyn në fuqi më 5 shtator 2025″.

Vendimi i Kushtetueses

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në seancën e së shtunës, kishte thënë se konstituimi i Kuvendit konsiderohet i mbyllur edhe pse një nënkryetari nga radhët e komunitetit jo shumicë serb nuk ishte zgjedhur.

Nga ana tjetër, opozita dhe njohës të çështjeve kushtetuese kishin thënë se pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve nuk mund të konsiderohet i konstituuar Kuvendi. Ndërsa, Presidentja Osmani ka thënë se ekipi ligjor i saj është duke e analizuar këtë proces.

Procedura për përzgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti jo shumicë serb u aplikua me short. Kjo, pasi që Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i cili i kërkoi Listës Serbe që të ndërronte kandidatin pas tri dështimesh të Slavko Simiçit, të cilët nuk pranuan.

Basha u thirr në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili specifikoi se një kandidat për Kryetar Kuvendi duhet të votohet vetëm tri herë dhe, sipas tij, e njëjta vlen edhe për nënkryetarët.

Nga ana tjetër, Lista Serbe kundërshtoi këtë, duke thënë se kjo nuk vlen për nënkryetarët dhe se nuk do ta ndërrojnë kandidatin dhe iu drejtuan Kushtetueses.