Situatën aktuale me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka krahasuar me atë të 1989-së, kur Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, dhunshëm e kishte suprimuar autonominë e Kosovës.

Në një konferencë për media nga selia e Aleancës, Gjini, duke iu referuar Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, tha se ai nuk po e lejon konstituimin e Kuvendit dhe kështu, sipas tij, po ua pamundëson deputetëve që ta ushtrojnë funksionin e tyre.

“Dhe unë nuk besoj që dikush mban mend diçka të ngjashme, përpos në vitin 1989. Fatkeqësisht më duhet me e thënë, atëherë janë pengu deputetët me e ushtru mandatin e vet. Edhe sot një njeri i vetëm nuk lejon konstituimin e Kuvendit, nuk i lejon deputetët e zgjedhur, 120 prej tyre, edhe të pakicave, me e marrë mandatin edhe me e ushtru atë mandat”, deklaroi Gjini.

“E kanë bllokuar krijimin e institucioneve, e kanë blloku konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke ua pamundësuar përfaqësuesve të popullit me e ngrit zërin në Kuvend. Me i marrë mandatet që nuk ua ka dhënë ky, por ua ka dhënë populli”, shtoi.

Për Gjinin nuk ka asnjë dilemë që kjo është ndër “shkeljet më brutale të Kushtetutës, rendit kushtetues, edhe të demokracisë në Kosovë që ka ndodh ndonjëherë”. “Po që shkeljet janë të përsëritura. Po qe shkelen afatet. Po qe shkelet çdo normë e Kushtetutës. Por, pengimi i deputetëve për me e ushtru funksionin e vetë si përfaqësues të popullit është ndër shkeljet më brutale që ka ndodh deri tash”.