Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se mospërfshirja e buxhetit të Prishtinës në ligjin për buxhetin e vitit 2026, është jokushtetuese.
“Paradoksalisht, ky buxhet i Kosovës nuk e merr parasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është jo vetëm e habitshme, por jashtëzakonisht shqetësuese sesi Kuvendit i sillet një dokument që s’e respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet. Dhe, sëkëndejmi menjëherë bëhet jokushtetues”, tha Abdixhiku në fjalën e tij në seancën për shqyrtimin e buxhetit.
Kreu i LDK-së vlerëson se “nuk ka asnjë arsye as logjike, as ligjore, as kushtetuese që një buxhet nacional të mos e marrë parasysh vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës”.
Ai ka paralajmëruar se nëse LDK-së i mohohet “një e drejtë kushtetuese”, atëherë do ta ridefinojnë pozicionin e tyre në lidhje me çështjet ku nevojiten votat e LDK-së.
“Nëse LDK-së i mohohet nga ky Kuvend një e drejtë kushtetuese vetëm nga vullneti i numrave shumicë, atëherë edhe LDK-ja do të ridefinojë pozicionin e saj në relacion me çështjet që kërkojnë edhe numrat tonë në këtë Kuvend”, shtoi ai ndër të tjera.








