“Për marrëveshje në të cilën LDK-ja nuk ndihet e përfaqësuar, ose nuk ndihet që vlerat e saj po tregohen, s’kemi asnjë votë, as votën time”.

Kështu ka thënë Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit që ka pasur me Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, të premten.

“Pra, për një marrëveshje të mirë për Republikën e Kosovës dhe stabilitetin institucional dhe për shmangien e zgjedhjeve, LDK-ja flet si tërësi e unike”, theksoi Abdixhiku për gazetarë.

Ai deklaroi se përpjekja e tij është që t’i shmangim zgjedhjet e ardhshme, “sepse s’kemi çfarë t’i arsyetohemi njerëzve tanë, popullit të Kosovës”. “4 palë zgjedhje për një 1 vit e gjysmë, vërtetë është çmenduri politike”.

Kreu i LDK-së potencoi se në takim nuk kanë folur për emra të përveçëm. “Nuk po flasim për poste individuale, ende nuk kemi arritur konsensuse rreth parimeve, por po i diskutojmë dhe po i shtrojmë në mënyrë konstruktive. Dhe besoj që ky është hapi i parë”.

I pyetur se pse Vjosa Osmani ishte bashkë me të në takim, Abdixhiku theksoi se për shkak se ka qenë bartëse e listës në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.