“Progresi i mëtejshëm në proces do të varet shumë edhe nga llogaridhënia për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, që përfshin dorëzimin e udhëheqësit të këtij sulmi, Milan Radojiçit, dhe grupit të tij, për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë”, ka thënë kryenegociatori i Kosovës në dialogun teknik për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Agron Bajrami.

Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme, pas takimit që Bajrami ka pasur me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Aty theksohet se në takim u shkëmbyen mendime lidhur me hapat e ardhshëm në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe me hapat konkretë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

“Kryenegociatori Bajrami theksoi se Republika e Kosovës është e vendosur në qëndrimin e saj se procesi i dialogut duhet të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur, përmes njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i hapur rrugën integrimit të plotë të Kosovës dhe të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian”, potencohet aty.

Foto nga MPJ: Agron Bajrami dhe Peter Sorensen.

Bajrami ka theksuar se Kosova mbetet “e përkushtuar dhe konstruktive në këtë proces, duke kërkuar që të shtohen presionet ndaj palës tjetër për të përmbushur obligimet që ka marrë gjatë viteve në dialog”.

“Këto obligime përfshijnë integrimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, NATO dhe OKB”.

Sa i përket hapave të ardhshëm, Kryenegociatori Bajrami ka potencuar se Kosova “insiston në zbatimin e plotë dhe jo-selektiv të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit, që përfshin obligimin e Serbisë për të respektuar integritetin territorial të Kosovës dhe sovranitetin e institucioneve të saj në të gjithë territorin e Kosovës”.

Sorensen ka takuar të mërkurën ndaras Kryenegociatorin e Kosovës dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç

“Kemi mbajtur takime të ndara dhe të detajuara me të dy kryenegociatorët në Bruksel këtë javë për të përvijuar planin tonë të punës mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për muajt në vijim”, shkroi Sorensen në platformën X.