Për Albin Kurtin e para pak ditëve, nëse në sallën e Kuvendit nuk do të ishin 80 deputetë për të filluar procesi i votimit për president, vendi shkonte në zgjedhje.

Por ai dhe partia e tij, të hënën, nisën procesin me vetëm 64 deputetë.

Akti i së hënës u quajt nga opozita si “puç kushtetues”.

“Shfaqet e nevojshme që t’i kemi diku 83-84-85 deputetë, jo 80 ose 81, sepse është rrezik i madh që mungojnë një ose dy dhe s’ia del dot, duhet të shkosh në zgjedhje në prill”, deklaronte kreu i Vetëvendosjes më 23 shkurt.

Njëjtë do të deklaronte edhe në mars, kur po zhvillonte takime me krerë të opozitës.

“Duhet t’i kemi 80 veta të cilët qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht. Konsiderojmë që nuk mund të shkojmë me 80 në votim. Po doli 79 numri në fund, automatikisht shkojmë në zgjedhje”, tha Kurti më 2 mars.

Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar edhe në aktgjykimin e fundit për çështjen e presidentit, por edhe në rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacollit më 2011 – se për t’u konsideruar i vlefshëm dhe kushtetues procesi, në sallë duhet të jenë së paku 80 deputetë.

Pikërisht për mungesë kuorumi, në rastin e kandidimit të Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakut, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e kishte ndërprerë seancën dhe nuk kishte lejuar të shkohej në procedurë votimi.