Kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk ishin të përshtatshme për interesat politike të Lëvizjes Vetëvendosje cilësoheshin si të padrejta apo të motivuara politikisht. Por, këto kritika ndryshojnë e bëhen lavdërime kur vendimet janë të favorshme për subjektin që drejtohet nga Albin Kurti.
Ngjashëm ndodhi edhe me vendimin e së enjtes në lidhje me kushtetutshmërinë e procesit të konstituimit të Kuvendit. Nga ata që e sulmonin ashpër Kushtetuesen, u shndërruan në institucionalë që përpiqen të bëjnë politikë duke u thirrur në këtë vendim, të cilin e lexuan sipas dëshirës së tyre – krejt ndryshe nga opozita dhe njohësit e çështjeve kushtetuese.
Në një konferencë për media të premten, një ditë pas shpalljes së aktvendimit, nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, pretendoi se votimi i fshehtë nuk është anti-kushtetues.
“Të gjithë ata që thonë se Avni Dehari e shkeli kushtetutën përmes votimit të fshehtë, janë lexues të dobët të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Konjufca.
“Besoni po të ishte votimi i fshehtë antikushtetues, eksplicite do të ishte Gjykata Kushtetuese”, shtoi ai.
Disa nga sulmet e VV-së ndaj Kushtetueses
Vetëvendosje ka histori të gjatë të kundërshtimit të vendimeve të Kushtetueses, por më të ashprat janë ato në kohën kur ishin në pushtet.
Pasi Kushtetuesja rrëzoi Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Kryeministri në detyrë Albin Kurti e akuzoi atë se po e vonon luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ai pretendonte se Kushtetuta “shihet ndryshe nga gjysma e gjyqtarëve të Gjykatës”, duke u thirrur në vendimin e ndarë të gjyqtarëve, paçka se shumica ishin për rrëzimin e ligjit.
Madje, Kurti e kishte ftuar Kushtetuesen që të marrë pjesë në zgjedhje, pasi që pretendonte se e njëjta është duke bërë politikë.
“Unë e ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata, le të garojnë në zgjedhje. Nuk është a-politik nëse merr vendime për politikat, për ato garohet në zgjedhje. Kur ata të garojnë ju mund të votoni për ta”, thoshte ai në mars të vitit 2024.
Përveç Kurtit, Kushtetuesja është sulmuar edhe nga vartësit e tij. Albulena Haxhiu njëra ndër to.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë kishte pretenduar se Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformave të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.
Madje, sipas Haxhiut, kjo pengesë nuk po bëhet vetëm në reformat në drejtësi, por edhe në fusha të tjera.
“Gjykata Kushtetuese po pengon jetësimin e reformave”, pohonte ajo.
Edhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati nuk qëndron më mirë. Ai kishte qenë tejet kritik me Kushtetuesen pas rrëzimit të Ligjit për çmimin tavan.
Ndonëse s’është jurist, Murati thoshte se vendimi u mor “me argumente totalisht të kota”.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e procesit të konstituimit të Kuvendit, i publikuar të enjten, ndonëse i njëjtë për të gjithë, është lexuar nga secila parti sipas këndvështrimit dhe interesit të vet politik, duke i dhënë të drejtë vetes për qëndrimet që kanë mbajtur deri më tani.
Kushtetuesja u dha afat 30 ditë partive politike që ta përfundojnë konstituimin e Kuvendit. Aty ku filluan interpretimet nga palët ishin në lidhje me procesin e votimit të fshehtë, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
VV pretendoi se Kushtetuesja e lejoi votimin e fshehtë. Nga ana tjetër, opozita tha se ky proces u cilësua anti-kushtetues.