Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka shprehur gatishmërinë që partia e tij të kontribuojë në formimin e institucioneve të reja.
Por me disa kushte.
Ndër kushtet e vendosura nga AAK-ja janë pranimi i projektit të gazit amerikan, lirimi nga tatimi në pronë i tokave të punuara, rritja e pragut të TVSH-së dhe ndarja e mjeteve për Kryeqytetin.
“Institucionet e reja duhet ta konfirmojnë qartë orientimin strategjik të vendit dhe ta pranojnë menjëherë projektin e gazit amerikan. Po ashtu, duhet të rrisin pragun e TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro. Tokat e punuara duhet të lirohen menjëherë nga tatimi në pronë. Kërkojmë që institucionet t’i buxhetojnë plotësisht projektet e infrastrukturës jetike, si rrugët për Gjilanin, Pejën, Gjakovën dhe Podujevën, të cilat janë të planifikuara në buxhet, por nuk po realizohen. Gjithashtu, duhet të ketë zotim që për Prishtinën të ndahen nga 800 milionë deri në 1 miliard euro gjatë pesë viteve të ardhshme, pasi qyteti po bëhet i pajetueshëm”, tha Gjini në një konferencë për media.
Ai theksoi se AAK-ja nuk synon poste qeveritare apo pjesëmarrje në qeveri.
Gjatë konferencës u përmend edhe mundësia që Ramush Haradinaj të propozohet për president të vendit. Gjini tha se një gjë e tillë do të ishte nder për Aleancën, por nuk do të paraqitej si kusht për mbështetjen e tyre.









