Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar një njoftim për fushatën ndërgjegjësuese kundër trafikimit me qenie njerëzore, duke vënë në pah angazhimin institucional, rritjen e financimit për viktimat dhe numrin e personave të arrestuar. Megjithatë, në këtë komunikatë, MPB-ja nuk i ka përmendur gjetjet kritike të Departamentit Amerikan të Shtetit për mangësitë në luftimin e këtij fenomeni në Kosovë.

“Sipas Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për trafikimin me qenie njerëzore në Kosovë, gjatë periudhës së raportimit institucionet kanë shënuar progres në disa fusha, përfshirë rritjen e financimit për ndihmën ndaj viktimave, realizimin e aktiviteteve parandaluese, si dhe dënimin e më shumë personave për trafikim”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Në njoftimin e saj, Ministria thekson se institucionet kanë identifikuar 13 viktima të trafikimit gjatë vitit 2025, ndërsa në bashkëpunim me shoqërinë civile u është ofruar ndihmë 18 viktimave. Aty përmenden edhe arrestimi i 274 të dyshuarve dhe ngritja e kallëzimeve penale ndaj 290 personave për vepra penale që lidhen me trafikimin dhe prostitucionin.

Por, përtej këtyre të dhënave, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit evidenton probleme serioze në mënyrën se si institucionet e Kosovës po e trajtojnë trafikimin me qenie njerëzore.

Sipas raportit, Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, ndonëse po bën përpjekje të konsiderueshme. Për këtë arsye, Kosova ka mbetur në nivelin e dytë të vlerësimit, Tier 2.

Departamenti Amerikan i Shtetit vëren se institucionet kanë ndjekur penalisht më pak të dyshuar për trafikim. Po ashtu, ndonëse gjykatat kanë shqiptuar më shumë dënime me burgim, shumica e tyre kanë qenë nën minimumin e dënimit të paraparë me ligjin për trafikimin me qenie njerëzore.

“Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me qenie njerëzore, por po bën përpjekje të konsiderueshme për t’i përmbushur ato. Krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, qeveria ka shënuar rritje të përgjithshme të përpjekjeve, prandaj Kosova ka mbetur në Nivelin 2 (Tier 2). Këto përpjekje përfshijnë dënimin e një numri më të madh të trafikantëve dhe shqiptimin e më shumë dënimeve me burgim ndaj tyre”, thuhet në raport.

Këto gjetje nuk janë përfshirë në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila është përqendruar në përpjekjet institucionale dhe rezultatet pozitive, pa i adresuar mangësitë e evidentuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit.