Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se gjatë procesit të verifikimit të njehsorëve elektrikë janë konstatuar shkelje serioze, ku ndër më kryesoret është fakti se një pjesë e njehsorëve kanë rezultuar me afat të skaduar të vlefshmërisë.
Bazuar në raportin e verifikimit laboratorik nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, MINTI ka paralajmëruar se do të kërkojë masa nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ndërsa Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të shqiptojë gjoba ndëshkimore ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, pikërisht për shkak të përdorimit të pajisjeve me afat të skaduar.
Gjetjet e konstatuara nga MINTI:
• Është vërtetuar se njehsorët kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë;
• Janë evidentuar devijime në datë prej rreth 2–3 ditësh krahasuar me kohën reale;
• Gjithashtu është konstatuar se ekzistojnë devijime prej rreth 10–11 orësh krahasuar me kohën reale;
• Matja e energjisë elektrike ka rezultuar të jetë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar;
• Është konstatuar se bllombat kanë qenë të paprekura dhe pa dëmtime.
Ndër të tjera, MINTI ka njoftuar për një periudhë shumë të shkurtër kanë pranar 209 ankesa, të cilat pritet të verifikohen.
“Për informimin tuaj të drejtë, ju konfirmojmë se Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, deri më datën 30.03.2026, nuk ka pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët për njehsorët e energjisë elektrike. Ndërsa, pas formimit të komisionit verifikues, vetëm gjatë dy ditëve të fundit, pranë këtij departamenti janë pranuar 209 ankesa, për të cilat komisioni është duke kryer verifikimin”, lajmëruarn MINTI në komunikatën e tyre për media.









