I pari i Vetëvendosjes që tash po mban edhe pozitën e kryeministrit në detyrë edhe atë të deputetit, Albin Kurti u lëshua sërish në lojë fjalësh. Këtë Kurti e bëri derisa po fliste për hapjen e urës mbi Ibër mbrëmë në një debat televiziv.
Ai mohoi se ka premtuar se do ta hap Urën e Ibrit, por tha gjithashtu se ka gabuar nëse ndonjëherë e ka thënë një gjë të tillë.
“Unë kam thënë që duhet të hapet e do të hapet. Nuk e di a e kam thanë ndonjëherë që do ta hapim. Domethënë në vetën e parë njëjës ‘do ta hapi’ nuk e di a e kam thënë ndonjëherë. Nëse e kom thanë kom gabuar sepse unë nuk kam thanë do ta hapi unë aty me karabinierët italianë. Ne nuk dëshirojmë fërkime me karabinierët italianë”, tha Kurti.
Intervista e tij mbrëmë u karakterizua me sulme ndaj ish-opozitës, në veçanti Partisë Demokratike të Kosovës për të cilën tha se i ka “4-5 kryetarë”. Ndër të tjera Kurti u lëshua edhe në akuza ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit duke thënë se të njëjtit po japin instruksione politike për ish-bashkëpartiakët e tyre në Kosovë.









