“Tregun e mallrave [Albin Kurti] ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton”.

Kështu ka thënë ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, derisa ka kritikuar Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për heqjen e taksës 100 për qind ndaj Serbisë, refuzimin e Gazit Amerikan, por edhe për anulimin e projekteve të mëdha për energji, siç është ajo me ContourGlobal.

“Më 21 nëntor 2018, si Kryeministër i Qeverisë Haradinaj, vendosa taksën 100% ndaj mallrave të Serbisë. Më 1 prill 2020, Albin Kurti e hoqi taksën dhe e hapi tregun për mallrat serbe”, shkroi Haradinaj.

“Më 20 dhjetor 2017, nënshkrova projektin me ContourGlobal për ta bërë Kosovën të pavarur energjetikisht nga Serbia. Në vitin 2020, Albin Kurti e anuloi këtë projekt, duke i hapur derën importit të rrymës nga mafia energjetike e kontrolluar nga Serbia”, shtoi ai.

Në vitet 2021–2022, Haradinaj thekson se Kurti refuzoi edhe projektin amerikan të gazit.

“Më 14 qershor 2026, mediat raportojnë për dhjetëra kamionë me mallra nga Serbia që presin të hyjnë në Kosovë. Ndërkohë, vetëm gjatë vitit të kaluar, Kosova importoi energji elektrike në vlerë prej rreth 259 milionë euro”.

Tash, kur është riaktualizuar çështja e gazit, njerëzit e Kurtit, sipas ish-Kryeministrit, “po përgatiten për protesta kundër gazit amerikan”.

Në këtë drejtim, Haradinaj pyet se “kush është ky njeri [Kurti]?”.

“A është me të vërtetë kundër gazit apo kundër Amerikës?”, thekson ai, për të vazhduar përsëri me pyetje: “Çka don ky njeri nga Kosova?”.