Rreth një javë pasi protestat në mbrojtje të UÇK-së kanë pushuar në Prishtinë, tashmë po largohen edhe bilbordet me fotografitë e krerëve të UÇK-së nga sheshi “Skënderbeu”.

Të shtunën është larguar fotografia e madhe nga pjesa e Teatrit Kombëtar, ndërkaq këtë të hënë janë larguar edhe fotografitë individuale të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Vox Kosova merr vesh se Komuna e Prishtinës u ka dhënë organizatorëve leje pa afat të kufizuar për vendosjen e këtyre fotografive. Pra, organizatorët kanë pasur leje për t’i mbajtur ato në këtë hapësirë pa një afat të caktuar, ndaj nuk dihet pse fotografitë janë larguar pikërisht tani.

Nuk dihet nëse bëhet fjalë për ndonjë plan për zhvendosjen apo rivendosjen e tyre, por fotografitë nuk gjenden më në zemër të Prishtinës, aty ku qytetarët protestuan rresht për 21 ditë, duke kërkuar drejtësi për krerët e UÇK-së.