Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, është deklaruar para mediave nga hapësira para ndërtesës së Qeverisë, ku disa deputetë të PDK-së po qëndrojnë në shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit politike.
Çitaku akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se po “uzurpon” zyrat e Qeverisë, duke thënë se ai duhet të jetë në Kuvend për ta konstituuar këtë institucion dhe për të formuar Qeverinë.
“Ne jemi këtu me një qëllim të vetëm, të kërkojmë rivendosjen e ligjit kushtetues dhe demokratik në vend”, tha Çitaku.
Ajo tha se ndërtesa e Qeverisë është e “uzurpuar” dhe se Kurti, sipas saj, nuk duhet të qëndrojë aty nëse nuk ka të drejtë të ushtrojë funksionin.
“Këto zyra janë të uzurpuara nga një deputet dhe, nëse ai s’ka të drejtë të jetë aty, s’kemi të drejtë as ne. Dhe e dyta, ai duhet të jetë në Kuvend, aty bashkë me ne, për ta themeluar institucionin, për ta konstituuar Kuvendin”, deklaroi ajo.
Çitaku tha se prania e deputetëve të PDK-së para Qeverisë nuk është përpjekje për “puç”, por një thirrje për Kurtin që të kthehet në Kuvend.
“Nuk jemi ne këtu me ba puç. Ne jemi këtu me i thanë z. Albin Kurtit: eja në Kuvend, shumicën e ke, ndërtoje Qeverinë dhe ecim tutje”, përfundoi Çitaku.








