Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të premten në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Prattipati e ka uruar Kurtin për formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri.

“Kryeministri Kurti pranoi urime nga e Ngarkuara me Punë, Prattipati, për formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri. Ndërsa, ai e falënderoi ambasadoren për bashkëpunimin dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e madhe, të vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës së Kosovës”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Ndërsa, në njoftimin e Ambasadës Amerikane thanë se aty është diskutuar edhe për forcimin e partneritetit në fushën e tregtisë dhe investimeve.

“E Ngarkuara me Punë, Anu Prattipati, u takua me Kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar mundësitë për avancimin e bashkëpunimit SHBA–Kosovë, përfshirë forcimin e partneritetit në fushën e tregtisë dhe investimeve, si dhe bashkëpunimin për prioritetet e përbashkëta që kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin në rajon”, njoftoi Ambasada.

Në këtë takim u tha se janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit politike.