Nëse dikur fliste për urgjencën e krijimit të Qeverisë, tash, kur Kuvendi është konstituuar dhe ka marrë mandatimin nga Presidentja, Albin Kurtit nuk po i bëhet vonë.
Më 26 tetor është afati kur Kurti duhet të paraqesë para Kuvendit të Kosovës përbërjen e Qeverisë dhe të tregojë nëse i ka numrat për ta formuar atë.
Por, deri më tani, ai nuk ka bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim. Të paktën, publikisht nuk është bërë e ditur asnjë takim me ndonjë parti tjetër apo me deputetë individualë.
“Këto ditë jemi të përqendruar maksimalisht në analizën gjithëpërfshirëse dhe të hollësishme të rezultateve zgjedhore, por shumë shpejt, qysh këtë javë, do të fillojmë komunikimin dhe bisedat edhe për Qeverinë qendrore,” — kishte deklaruar Kurti javën e kaluar.
Megjithatë, ai nuk lëvizi gurët dhe vendosi të udhëtojë për në Londër për takime me bashkatdhetarë – ngjarje të organizuara nga Ambasada e Kosovës, vetëm pak ditë pas balotazhit në disa komuna.
Nga partia e tij, pas konstituimit të Kuvendit, është bërë e qartë se PDK-ja dhe Lista Serbe janë përjashtuar nga kombinimet e mundshme për koalicione.
Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se do të zhvillohen “diskutime me deputetë të ndryshëm” për mundësinë e formimit të Qeverisë.
Nga ana tjetër, Lista Serbe ka dorëzuar sërish një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës.
Nenad Rashiq u propozua nga Kryetari i Kuvendit dhe u votua nga Vetëvendosje dhe LDK.
Por, sipas Listës Serbe, zgjedhja e tij është jokushtetuese, pasi ai nuk u propozua nga ky subjekt që përfaqëson shumicën e komunitetit serb në Kuvend.
Ky subjekt politik, që në zgjedhjet e fundit lokale riktheu pushtetin në komunat me shumicë serbe, ka kërkuar nga Kushtetuesja masa të përkohshme për pezullimin e punës së Kuvendit, por deri tani, Gjykata nuk ka dhënë një vendim të tillë.









