Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për një mori rrafshesh mbi marrëdhënien e Kosovës me SHBA-në gjatë një takimi me të rinj në Amerikë. Ai e nisi me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së e e përfundoi me marrëdheniet që paraardhësit e tij kanë pasur me SHBA-në.
“Së pari, nuk është se Dialogu Strategjik është pezulluar, por planifikimi për një dialog strategjik është suspenduar. Kjo është për dy arsyeje. Një për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, që doli të jetë kundër strukturave ilegale serbe”, filloi Kurti përgjigjen e tij ndaj pyetjes së një të reje lidhur me pezullimin e Dialogut Strategjik.
Ai më pas vazhdoi të shpjegonte marrëdhënien e Kosovës me SHBA-në. Kurti tha se konsideron që kjo marrëdhënie është e bazuar në tri D-ja; mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci (që në anglisht i bie: defense, development, dhe diplomacy).
Kurti tha se ai e vlerëson më shumë mbrojtjen se sa zhvillimin.
“Të jem i sinqertë, mbrojtja është më mirë se zhvillimi”, tha Kurti ndër të tjera.
I pari i Vetëvendosjes e pranoi se Kosova dhe SHBA-ja kanë disa pengesa në diplomaci, por shtoi se kjo nuk është në dorën e tij.
“…kemi disa pengesa në diplomaci, pasi në këndvështrimin tim SHBA-ja konsideron që është shumë e rëndësishme që të marrë Serbinë nga hemisfera lindore… ne duke qenë pak të ngurtë në sundim të ligjit, në demokraci, në sovranitet shtetëror dhe integritet territorial, i ka bërë disa politikanë dhe diplomatë amerikanë të konsiderojnë që ne nuk jemi ndihmues ndaj SHBA-së për të marrë Serbinë nga Federata Ruse”, ka thënë Kurti.
“Por të jem i sinqertë, ky nuk duhet të jetë problemi im. Unë përfaqësoj interesat e Republikës së Kosovës”, shtoi kryeministri në detyrë.
Më pas Kurti vazhdoi t’i mbajë leksione SHBA-ve se si nuk duhet të përfshihen në diplomaci me Serbinë, duke thënë se autokratët e cilësojnë bujarinë si frikë ndaj tyre.
E në fund fare, Kurti nuk la pa folur edhe për paraardhësit e tij.
“Ky është drejtimi i paraardhësve të mi, që ishin shumë të butë. Unë jam normal tani, por dukem pak ekstrem. Por kjo është për shkak të paraardhësve të mi, që nuk ishin normal”, përfundoi Kurti.









