Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur të premten një konferencë për media në 12 vjetorin e miratimit të Ligjit për Amnisti, duke i bërë këtij ligji një interpretim që bie mbi kurrizin e partive të tjera.

Sipas deputetëve të VV-së: Arbëreshë Kryeziu-Hyseni dhe Artan Abrashi, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Kosova kishte marrë një obligim që, sipas tyre, “mundësoi edhe amnistimin e kriminelëve serbë, atyre që me urdhër kishin kryer krime të vazhdueshme në pjesën veriore të vendit”.

“Votimi i Ligjit për Amnisti ishte një kompromis i dhimbshëm, dhe përtej i dëmshëm, ishte një gabim historik, sepse përveç tjerave, pra përveç që u amnistuan krimet, përmes këtij ligji u inkurajuan grupet kriminale që të vazhdojnë me aktivitetet kriminale…”.

“…sepse politikanët që qeverisën me vendin tonë në atë kohë, do të kujdeseshin për amnistimin e krimeve kundër rendit kushtetues, krimeve të kontrabandës, vrasjeve, dhunës, frikësimit dhe plotë krimeve të tjera që ndodhnin në Kosovë në vazhdimësi”, deklaroi Kryeziu-Hyseni.

Por, sipas nenit 4, pika 1.3, të Ligjit për Amnisti të vitit 2013, nga përfitimi i amnistisë përjashtoheshin personat që kishin kryer vepra penale si vrasje dhe lëndime të rënda trupore.

Madje, të dhënat nga Grupi për Politika në Ballkan tregojnë se nga gjithsej 1 mijë e 237 persona që përfituan nga ky ligj, 1 mijë ishin shqiptarë, 216 serbë dhe 21 boshnjakë.