Kur Qeveria e Kosovës donte ta ndërtonte një termocentral të ri me emrin “Kosova e Re”, me kapacitet prej 500 megavatësh, dhe Vetëvendosja bashkë me një pjesë të shoqërisë civile bënte aktivitet të fortë kundër ndërtimit, një tjetër aktor i rëndësishëm ishte vënë në lëvizje për ta ndihmuar Kosovën në realizimin e këtij projekti: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo sepse SHBA-të ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” e shihnin si mundësi që Kosova të mos binte nën ndikimin e rrjetit rus për energji elektrike dhe gjithashtu e trajtonin si interes kombëtar të vetin.

Në një procesverbal të një seance të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin Amerikan, më 23 tetor të vitit 2016, atëherë zëvendës-ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer, deklaronte:

“Për të ruajtur pavarësinë energjetike, Kosovës i nevojitet prodhim i ri i energjisë dhe ‘Kosova e Re’ është opsioni më praktik, më efikas dhe më i realizueshëm. Mbështetja e këtij projekti është plotësisht në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara”, thoshte Palmer.

Por jo vetëm kaq.

Në të njëjtin dëgjim para Senatit Amerikan, në pjesën e përgjigjeve shtesë të dërguara me shkrim, Palmer deklaronte:

“Nëse ky projekt dështon, Kosova mund të detyrohet të shqyrtojë alternativa që përfshijnë energji me origjinë ruse”.

I pyetur nga anëtarët e komisionit në Senat për ndotjen eventuale të ambientit nga termocentrali i ri, Palmer siguronte se teknologjia me të cilën do të ndërtohej termocentrali e largonte këtë brengë.

“‘Kosova e Re’ do të përfshijë teknologjitë më të fundit mjedisore, të cilat do të reduktojnë pluhurin, sulfurin dhe emetimet e gazrave të rrezikshëm, përfshirë oksidet e sulfurit, dioksidin e azotit dhe dioksidin e karbonit”.

Gjatë deklarimit para komisionit, senatori John Barrasso e pyet Palmer-in nëse SHBA-të po përfshiheshin për ta ndihmuar Kosovën në këtë projekt.

“A ka kërkesa specifike që Qeveria e Kosovës ua ka bërë Shteteve të Bashkuara lidhur me ndihmën në sektorin energjetik?”.

Palmer garantonte se SHBA-të po i qëndronin Kosovës pranë, veçanërisht në aspektin e sigurimit të financave.

“Kanë kërkuar që të përdorim ndikimin tonë për të ndihmuar me institucionet financiare ndërkombëtare dhe sigurimin e financimit për termocentralin. Kjo është diçka për të cilën Qeveria e Kosovës ka kërkuar ndihmën tonë”.

Ai gjithashtu përmendte faktin se po i ndihmonin edhe vetë kompanisë amerikane “Contour Global” rreth projektit të termocentralit “Kosova e Re”.

“Është një sfidë që po përpiqemi ta tejkalojmë në partneritet me ContourGlobal, një kompani amerikane e interesuar të investojë dhe ta menaxhojë këtë Termocentral”.

Se Amerika qëndronte fort pas projektit të termocentralit “Kosova e Re” dëshmohej edhe në pyetjen që senatori Ron Johnson ia shtronte Palmer-it.

“Një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm ekonomik është termocentrali në Kosovë. A keni ndonjë përditësim sa i përket financimit të tij?”.

Përgjigjja e Palmer-it, njeriut më të rëndësishëm të Amerikës për Ballkanin në atë kohë, e konfirmonte mbështetjen e madhe amerikane.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj projektit ‘Kosova e Re’ dhe ndërtimit të një termocentrali të ri në Kosovë”.

Më pas, Palmer e rikonfirmonte dhe e forconte edhe një herë qëndrimin e tij.

“Ne mendojmë se është e rëndësishme, madje jetike, që qeveria e ardhshme të tregojë se është e përkushtuar për sigurimin e shërbimeve bazike për qytetarët e Kosovës, dhe kjo përfshin që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”.

Por, derisa një kastë e rëndësishme politikanësh në Amerikë, në Departamentin e Shtetit, në Shtëpinë e Bardhë dhe në Senatin Amerikan, po preokupoheshin me çështjen e energjisë së Kosovës, me sigurinë kombëtare të shtetit partner dhe me largimin nga rreziku i varësisë nga Rusia, një politikan në Kosovë, shqiptar fatkeqësisht, po e nxiste popullin kundër termocentralit dhe po krijonte atmosferën politike që projekti të dështonte.

“Ne nuk do ta respektojmë atë kontratë. Ajo kontratë është debakël. Ajo kontratë është kapitullim”.

Por, rrëfimi nuk përfundonte këtu.

“Thonë investim amerikan. Asnjë amerikan nuk doli asnjëherë. Qysh e ka emrin ai amerikan? Kush është ai pronari amerikan i fondit investues?”.

Kjo ishte absolutisht e pavërtetë.

Kompania ishte amerikane, siç u dëshmua, e mbështetur nga qeveria amerikane.

Dhe emri i amerikanit ishte Joseph Brandt, themelues dhe udhëheqës i “Contour Global”, person i njohur ndërkombëtarisht për ndërtimin e kapaciteteve energjetike në mbarë botën — në Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikë. Vetë “Contour Global” ishte një kompani tejet e rëndësishme, të cilën Kurti do të mund ta gjente me një klikim në Google.

Por, edhe sikur të mos e kishte pasur vullnetin për të kërkuar në internet, Brandt kishte ardhur vetë në Kosovë për të nënshkruar kontratën me Qeverinë e Kosovës dhe për të njoftuar vendosjen e gurthemelit të termocentralit.

“Presim me padurim të punojmë së bashku. Do të lëvizim shumë, shumë shpejt, dhe mezi pres t’ju shoh në ceremoninë e parë të vendosjes së gurthemelit vitin e ardhshëm”.

Fatkeqësisht, pengesë do të bëhej Albin Kurti, i cili me mashtrimet e tij po rritej politikisht.

Gjuha e Vetëvendosjes kundër termocentralit do të gjendej edhe në shkrimet intensive të asaj kohe nga Veton Surroi.

Ai do ta tmerronte popullin e Kosovës duke pretenduar se Kosova po e humbte pavarësinë me këtë termocentral.

Shkonte aq larg, sa këtë çështje e konsideronte rrezik më të madh sesa Serbia.

Fatkeqësisht, e vërteta e rëndësishme e shpëtimit të Kosovës nga importi i energjisë nga Serbia, stabiliteti energjetik, zhvillimi ekonomik dhe dimensioni i sigurisë kombëtare, u mbytën nga Albin Kurti dhe zërat përreth tij.

Arritën ta ndalin investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë. Dhe t’ia mundësojnë mafias energjetike të vazhdojë gërryerjen e shqiptarëve me fatura të rrymës që vetëm rriten, me varësi nga importi që vetëm shumëfishohet dhe me ndotje të ambientit që shtohet çdo ditë nga termocentralet e vjetra e të lodhura të Kosovës.

Por, episodi më tragjik i krejt kësaj situate dhe fakti i pakontestueshëm që kundërshtimi i Vetëvendosjes nuk ishte vetëm politikë ditore, por një influencë e fuqishme nga forca të liga, tregohet nga vetë partneri i dikurshëm i Kurtit, ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Ymeri tregon se Palmer i kishte ftuar në takim, atë bashkë me Kurtin, dhe iu kishte deklaruar personalisht se ndërtimi i termocentralit ishte prioritet amerikan, por Kurti nuk kishte dashur të dëgjonte.

“Në atë takim një prej kërkesave… tri gjëra i ka pasë për Lëvizjen Vetëvendosje që m’i ka thënë atëherë. E treta ContourGlobal, këtë që e përmenda. Çështja e tretë që na e ka përmendur domethënë ka qenë kjo, që për neve, ai ka thanë na këta e shohim interes strategjik, shumë të rëndësishëm për Kosovën dhe Amerikën, ndërtimin e Termocentralit”.

Se cila ishte arsyeja e këtij kundërshtimi të madh do të kuptohej vetëm pak më vonë, kur Vetëvendosja të vinte në pushtet.

Aktualisht, biznesi i rrymës ka shpërthyer në Kosovë, me kompani që importojnë miliarda, me blloqe që bien dhe me kompani fantazmë të tregtimit të energjisë. Të cilat, të gjitha, në një formë a tjetër, dalin të lidhura me Vetëvendosjen.