Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, me një buxhet rekord prej 901 miliardë dollarësh, duke i kushtuar, në disa prej 3 mijë faqeve të tij, një seksion edhe marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në kapitullin e punëve të jashtme, seksioni 8340 i nëntitullit C “Demokracia dhe Prosperiteti në Ballkanin Perëndimor”, Kongresi amerikan përcakton qëndrimin për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

“Është qëndrimi i Kongresit se “Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve”, e cila u aprovua nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përbën një hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, thuhet në fjalinë e parë në këtë seksion.

Tutje, Kongresi Amerikan thekson se dy vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë përparim të menjëhershëm në zbatimin e Aneksit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve dhe po qe se bëjnë kështu, SHBA-të do të shqyrtojë avancimin e iniciativave për forcimin e raporteve bilaterale me të dy vendet. Iniciativa këto që mund të përfshijnë vendosjen e dialogëve strategjikë me Kosovën e me Serbinë si dhe avancimin konkret të nismave për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimeve në të dyja anët.

Në ligj, konfirmohet edhe një herë qëndrimi amerikan për marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse të bazuar në njohje reciproke.

“Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohje të ndërsjellë”, thuhet në Ligjin për Mbrojtjen.

Në fund të seksionit, deklarohet se është politikë e Qeverisë Amerikane “të mos ndjekë asnjë politikë që promovon shkëmbime territoresh, ndarje territoriale apo forma të tjera të rishikimit të kufijve mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të rajonit”.