Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka dhënë asnjë emër konkret për presidentin apo presidenten e re të Kosovës, pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kurti tha se gjatë takimit nuk është diskutuar për emra, por për kriteret, parimet dhe figurën që duhet ta ketë kreu i ardhshëm i shtetit.

“Shqyrtuam e diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes së re nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributit në shoqëri”, tha Kurti.

Ai tha se palët kanë shprehur vullnet për arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa pas konsultimeve të brendshme në Vetëvendosje dhe LDK, pritet të ketë një takim tjetër.

“Besoj që mirëbesimi që kemi në njërën anë dhe në anën tjetër vullneti i qartë për të arritur marrëveshje për president, duket se na bëjnë optimistë”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, qëllimi është arritja e një marrëveshjeje për presidentin apo presidenten e re, pa pasur nevojë për zgjedhje të reja.