Pasi që Aleksandër Vuçiç i Partisë Progresive Serbe (SNS) pranoi humbjen dhe njoftoi fitoren e Listës së Studentëve, pothuajse në të gjithë qytetet e Serbisë qytetarët kanë dalur në rrugë për të festuar.
Festa më e madhe është përqendruar në qendër të kryeqytetit serb, Beograd.
Mijëra qytetarë janë mbledhur në qendër të Beogradit, duke ndezur flakadanë e hedhur fishekzjarrë, ndërsa dëgjohen tërë kohën boritë e automjeteve.
Festa ka shpërthyer edhe në shtabin e Listës Studentore “Studentët fitojnë”.
Sipas pamjeve të publikuara nga mediat serbe, kandidatët e kësaj liste, së bashku me studentët, po këndojnë dhe po brohorasin “Fitore”.
“Kurrë më tiranë në vendin tonë”, deklaroi Ilija Srdanovic, bartës i Listës Studentore.
Në një konferencë për media, nga selia e SNS-së, pak pas mbylljes së qendrave të votimit, Vuçiç, bartës i listës “Serbia e Bashkuar”, tha se “bazuar në mostrën e rezultateve, është e qartë se i humbëm këto zgjedhje”.
Ai deklaroi se lista e studentëve ka rreth 135 deri në 140 deputetë, ndërsa SNS ka rreth 105 mandate.
“Ka fituar Lista Studentore, e cila do të ketë mes 135 dhe 140 mandate, ndërsa ne rreth 105 mandate. Ne kemi rreth 1.720.000 vota, ndërsa ata rreth 2.200.000”, tha Vuçiç.
Vuçiç dhe Partia Progresive Serbe ishte në pushtet që nga viti 2012.
Vuçiç kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit për të garuar si kandidat për Kryeministër.
Këtë të diel, në Serbi u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ku votuan rreth 70 për qind e qytetarëve.









