Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka hedhur përgjegjësinë te opozita për situatën e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit, duke e larguar fajin nga koalicioni qeverisës në një intervistë për RTK.
Ajo deklaroi se Vjosa Osmani nuk kishte mbështetjen e partive opozitare dhe se për këtë arsye në fund u propozua emri i Glauk Konjufcës, me qëllim që të niste procesi i votimit në Kuvend.
Sipas Gërvallës, vendimi për Konjufcën erdhi pasi nuk u arrit të gjendej një kandidat konsensual dhe pasi familja Jashari nuk pranoi të përfshihej në një proces të tillë.
“Emri i Glauk Konjufcës erdhi krejt në fund, që të hyjmë në proces. E vendosëm atëherë kur opozita më nuk donte as të takohej me ne. PDK-ja kërkonte nënshkrime për kandidatët e tyre që koalicioni ynë nuk ua dinte as emrat. Gjithashtu nuk kemi pasur asnjë emër nga LDK”, tha ajo.
Gërvalla shtoi se emri i Konjufcës u propozua edhe me shpresën se deputetët e opozitës do të qëndronin në sallë për votim.









