Anëtarja e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nora Kelmendi, është renditur e para në procesin e përzgjedhjes për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Sipas njoftimit të publikuar nga AKP më 16 korrik 2026, Kelmendi ka grumbulluar gjithsej 86.6 pikë, prej të cilave 30 pikë nga testi me shkrim dhe 56.6 pikë nga intervista.
Në vendin e dytë është renditur Yll Buleshkaj, aktualisht drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me gjithsej 81.2 pikë. Buleshkaj ka marrë 31 pikë në testin me shkrim dhe 50.2 pikë në intervistë.
Në listën e kandidatëve pasojnë Alban Maliqi me 72.2 pikë, ku 33 pikë i ka marrë nga testi me shkrim dhe 39.2 nga intervista, si dhe Muharrem Arifi me 71 pikë, prej të cilave 30 nga testi dhe 41 nga intervista.
AKP ka bërë të ditur se ky rezultat është publikuar pas përfundimit të procesit të vlerësimit të kandidatëve pjesëmarrës për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të kësaj agjencie.
Procesi për zgjedhjen e drejtuesit të ri të AKP-së vjen në një kohë kur Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar shuarjen e kësaj agjencie.
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, në vitin 2021 kishte deklaruar se AKP-ja duhet të mbyllet, pasi sipas tij duhej të krijohej Fondi Sovran.
“Duhet të shuhet sepse duhet të ndërtohet Fondi Sovran”, kishte thënë Kurti më 27 maj 2021.









