Mbrëmjen e kësaj të shtune, ekipi kombëtar i Shqipërisë do të luajë kundër Serbisë në Leskovc. Një fitore e kuqezinjve mund t’i japë ekipit shqiptar një shtysë të madhe për të siguruar vendin e dytë ne grupe, që automatikisht të çon në “Play-Off” të Botërorit 2026.

Ekipi i Shqipërisë ka mbërritur në Nish dje në mbrëmje nga ku më pas forca të shumta policore serbe shoqëruan skuadrën nga pista e aeroportit deri në hotel.

Trajneri Sylvinho dhe Elseid Hysaj mbajtën një konferencë për media në të cilën konfirmuan qëllimin kryesor, fitoren kundër serbëve. Përgjegjësi i Zyrës për Shtyp në Federatën Shqiptare të Futbollit, Fatjon Kodra, ndërhyri për të korrigjuar deformimet që po bëheshin në përkthimin e deklaratave të Sylvinhos.

Në stërvitjen e fundit të kuqezinjve në stadiumin “Duboçiça”, mungonte flamuri shqiptar, ndërsa forca të shumta policore ruanin perimetrin e fushës së stërvitjeve.

Në kuadër të ndeshjes, janë shtuar edhe masa të tjera për sigurinë e kombëtares shqiptare. Gazetari shqiptar Endri Tufa ka raportuar për detajet e këtyre masave.

“Asnjë taksi apo makinë nuk lejohet të dalë apo të vijë në hotel. Në çdo pikë kontrolli, ku ndodhen makinat e sigurisë, na kërkuan mjet identifikimi dhe kartën e dhomës së hotelit”, ka raportuar Tufa.

Kujtojmë se dy kombëtaret rivale kanë zhvilluar gjithsej 3 ndeshje që nga ajo e para në tetor të vitit 2014. Secila nga ekipet ka marrë nga një fitore respektivisht e në ndeshjen e fundit kanë ndarë pikët me një barazim në Air Albania të Tiranës.