Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kundërshtuar përfshirjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në raportin e misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNMIK, për Kosovën.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së OKB-së, Konjufca ka thënë se Gjykata Speciale është produkt i rendit juridik të Kosovës dhe nuk bën pjesë në mandatin e UNMIK-ut.

“Të nderuar Presidentë, sa i përket sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, raporti i UNMIK-ut, mendoj se nuk i mbulon mjaftueshëm përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe vetëm përmend shkurtimisht përpjekjet tona për të promovuar drejtësinë tranzicionale dhe për të ofruar drejtësi për viktimat përmes gjykimeve për krime lufte”, theksoi ai.

“Megjithatë, përfshirja e një aneksi të gjerë për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar përbën një keqkarakterizim të natyrës së tyre juridike dhe një tejkalim të kompetencave të raportimit të UNMIK-ut”, shtoi ai.

Konjufca potencoi se Dhomat e Specializuara nuk janë krijim i Rezolutës 1244. “Ato nuk janë themeluar nga Këshilli i Sigurimit, nuk e nxjerrin autoritetin prej tij dhe nuk bëjnë pjesë në mandatin e UNMIK-ut”.

“Dhomat e Specializuara janë themeluar përmes një amendamenti kushtetues të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Baza e tyre ligjore rrjedh nga një shkëmbim bilateral letrash ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, potencoi ai.

Kryediplopmati kosovar theksoi se ato janë “produkt i rendit juridik sovran të Kosovës, i krijuar përmes proceseve demokratike legjislative dhe i mbështetur përmes partneritetit me Bashkimin Evropian”. “Dhomat e Specializuara duhet t’i raportojnë Kuvendit të Kosovës”.