Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe në lexim të dytë Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Rastet e Veçanta të Destabilizimit në Treg në seancën e së enjtes, një javë pasi që kaloi në lexim të parë.

Ky Projektligj mori 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pro votuan deputetët e shumicës parlamentare: Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të komuniteteve jo shumicë jo serb.

Opozita – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – ishte kundër këtij Projektligji dhe si rrjedhojë nuk morën pjesë në votim.

Në emër të PDK-së foli deputeti Arben Mustafa. Ai tha se Projketligji ka “shumë paqartësi” dhe, sipas tij, le hapësirë për ndërhyrje në tregun e lirë.

“Por, duhet të përcaktohet me ligj se cila është metodologjia për të përcaktuar se çka paraqet rritje të paarsyeshme të çmimit, në të kundërtën lihet hapësirë për arbitraritet për ndërhyrje në treg të lirë”, deklaroi Mustafa në fjalën e tij në Kuvend.

Nga LDK theksuan se nuk e përkrahin këtë ligj për shkak të përmbajtjes dhe formulimit të tij.

“Ky ligj mund të jetë i ndikuar nga interesat e tjera partiake, private, personale dhe rrezikon të jetë plotësisht i kapur dhe i ndikuar nga partia në pushtet, pa kontrollim efektiv nga institucionet e tjera shtetërore”, theksoi deputetja e LDK-së, Janina Ymeri.

Shqetësimet e ngritura nga opozita tentoi t’i hedh poshtë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila. Ajo insistoi se ligji aktivizohet në raste të destabilizimit të tregut.

“Ky ligj vlen vetëm për produktet që janë të specifikuara në këtë projektligj, pra produktet e shportës bazë”, potencoi Kusari.

Kjo është hera e dytë që Kuvendi e miraton këtë ligj, pasi që i pari ishte ishte rrëzuar në vitin 2023 nga Gjykata Kushtetuese. Akti më i lartë juridik i vendit kishte konstatuar se ligji nuk është në përputhje me Kushtetutën.

Ky ligj, sipas pushtetit, garanton furnizimin dhe çmimet e përballueshme për produktet bazë në kohë krize. Produkte themelore sipas këtij ligji janë: drithërat, mielli, buka, orizi, makaronat, vajin ushqimor, qumështin dhe produktet e qumështit, ujin, pemët dhe perimet, kripën e kuzhinës, vezët pulës, mishin, sheqerin, ushqimet bazë për fëmijë, produktet e higjienës e lëndët e drurit për djegie.

Në ligj parashihet themelimi i një bordi me pesë (5) anëtarë, si organi më i lartë dhe përgjegjës për t’u marrë me çështjet e çmimeve tavan. Bordi duhet t’i raportojë Kuvendit çdo tre muaj.