Zgjedhja e Nenad Rashiç-it si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, sipas Kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është anti-kushtetuese.
Në një prononcim për “Klan Kosova”, Limaj, i cili nuk mori pjesë në seancën e së premtes, ka thënë se me këso veprimesh po cenohen parimet e Kushtetutës.
“Zgjedhja e Nenad Rashiç-it si nënkryetar është antikushtetuese dhe cenon procesin demokratik. Me këtë veprim po hyjmë në vazhdimësi të shkeljes së Kushtetutës”, tha Limaj.
Ndryshe, Nenad Rashiç është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Ai mori 71 vota për, 24 abstenime dhe nëntë kundër.
Zgjedhja e Nenad Rashiçit erdhi pasi që nëntë (9) deputetët e Listës Serbe dështuan radhazi nga tri herë secili për t’i marrë votat e nevojshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje votuan për, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës abstenoi.