“Hashim Thaçi është i pafajshëm”, ka thënë Luka Misetiç, avokat i Thaçit, në nisje të fjalës përfundimtare të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të mërkurën.
“Të nderuar gjyqtarë, më lejoni të filloj duke thënë këtë. Hashim Thaçi është i pafajshëm. Ky është pozicioni juaj fillestar kur të nisni shqyrtimet. Ne e dimë se ai është i pafajshëm në këtë fazë të procedurës, sepse ligji kërkon që ju ta prezumoni atë të pafajshëm”, tha Misetiç.
Deklarimet përfundimtare të mbrojtjes vijnë pas atyre të Prokurorisë dhe mbrojtësit të viktimave, të cilët folën të hënën dhe të martën. Në këtë kontekst, mbrojtja është duke e sfiduar narrativën Prokurorisë, e cila kërkoi nga 45 vjet burgim për secilin prej krerëve të UÇK-së – gjithsej 180 vjet.
“ZPS-ja kërkon shpalljen fajtore për të gjitha 10 pikat e aktakuzës dhe shqiptimin e një dënimi të vetëm prej 45 vjetësh burg, bazuar në kontributet individuale në krimet që janë të përfshira në aktakuzë”, tha Prokurorja e Speciales, Kimberly West të hënën.
Kjo kërkesë u kundërshtua ashpër nga krerët e shtetit në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe nga akterë të tjerë politikë.
“Kërkesa e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së, nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit”, tha Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Presidentja Vjosa Osmani nga ana tjetër deklaroi se “çdo tentativë që e barazon luftën çlirimtare me krimet e agresorit gjenocidal serb minon besimin në drejtësi dhe rrezikon paqen afatgjatë”.
Kundërshtim të ashpër pati edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Madje, njërin nga prokurorët e Speciales, Matt Halling-ut, e quajti “idiot ndërkombëtar”.
Në fjalën e saj, Prokuroria tentoi edhe që t’i zhvlerësojë dëshmitë e dëshmitarëve ndërkombëtarë të mbrojtjes si Wesley Clark e James Rubin. “Ndërkombëtarët s’kishin informacione”, tha ndër të tjera Kryeprokurorja West.
Madje, shkuan aq larg sa që pretenduan se Clark dhe Rubin u mashtruan nga Thaçi, derisa u përpoqën edhe që të vënë në dyshim motivet e tyre për intervenim në Kosovë.
“Ajo që James Rubin, Wesley Clark dhe disa nga ndërkombëtarët e tjerë nuk e kuptojnë është se gatishmëria e Thaçit për të mbuluar atë që po ndodhte ndikoi në aftësinë e tyre për ta kuptuar realisht se si funksiononte UÇK-ja”, tha Prokurori Matt Halling.
Prokurori Halling pretendoi se Rubin dhe Clark “në veçanti u treguan se nuk kishin asnjë interes për ta kuptuar vërtet këtë”.
Pas mbrojtjes, në seancën e fundit, më 18 shkurt, krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – do t’i kenë në dispozicion nga 20 minuta për të dhënë qëndrimet e tyre përfundimtare.
Pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.








