Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas paralajmërimeve të disa akterëve të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë deputetë, se ai mund të ftohet në prokurori. Rama u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të trajtojnë seriozisht, siç i cilëson ai, kërcënimet ndaj tij.

Përmes një postimi Rama ka folur lidhur me pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe ndikimin e mundshëm politik në punën e tyre.

“Prokurori, a po i dëgjoni kërcënimet që bëhen në emrin tuaj?!”, ka pyetur Rama, duke kërkuar që institucionet e drejtësisë të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

Ai ngreh dyshime nëse drejtësia në vend vepron në mënyrë të pavarur apo në bazë të interesave partiake të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ku ndodhet drejtësia në këtë vend? Në institucionet e pavarura të Republikës apo në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje?”, ka deklaruar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka theksuar se askush nuk ka të drejtë të kërcënojë në emër të shtetit dhe as t’i përdorë institucionet si instrument presioni ndaj kundërshtarëve politikë, gazetarëve apo qytetarëve me qëndrime të ndryshme.

“Mos e ngatërroni qetësinë me dobësi. As përmbajtjen me frikë. Ta keni të qartë, nuk më HESHTINI dhe nuk më NDALNI!”, ka shkruar ai.

Në fund të reagimit, Rama ka theksuar se qeverisja e kryeqytetit duhet të mbështetet në votën dhe besimin e qytetarëve, e jo në kërcënime.

“Prishtina nuk qeveriset me kërcënime. Prishtina qeveriset me votën dhe besimin e qytetarëve të saj!”, ka përfunduar Rama.

Reagimi i tij vjen në një kohë kur disa përfaqësues të Vetëvendosjes, përfshirë deputetë, kanë paralajmëruar mundësinë që Rama të ftohet në prokurori.