Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalur kundër zgjedhjeve të reja parlamentare, duke konsideruar se Presidentja Vjosa Osmani e ka shkelur Kushtetutën me shpërndarjen e Kuvendit. Ai ka thënë se pa folur Kushtetuesja, nuk ka zgjedhje të reja.

“Të gjithë e keni parë mbrëmë pamjen e seancës plenare të Kuvendit. Kush ishte, ishte në qendër, kush nuk ishte në qendër nuk ishte fare sepse nuk erdhi. Tash ndodhemi në një situatë ku unë besoj që nuk mund të flasim për zgjedhje të reja pa e thënë fjalën e vetë Gjykata Kushtetuese, meqenëse kemi mospajtime dhe kërkesa para tyre”, tha Kurti në një konferencë për media të premten.

Sipas Kurtit, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit, që u bë nga Presidentja Osmani pas dështimit të seancës për zgjedhjen e të parti të shtetit për shkak të kuorumit, “nuk është kushtetues sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta”.

Presidentja Osmani, në një konferencë për media mëngjesin e së premtes, njoftoi se e ka shpërndarë Kuvendin, pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit.

Ajo mbajti edhe një takim me krerët e partive politike. Vetëm Lëvizja Vetëvendosje nga partitë shqiptare parlamentare mungoi në këtë takim.

Pas dështimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit të enjten për shkak të kuorumit, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi që i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, dhe ka kërkuar masë të përkohshme.