Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë më 16 nëntor para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg.

Lajmin e ka bërë të ditur në një konferencë për media kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.

“Shoqatat e dala nga lufta kanë vendosur që protestën e radhës ta organizojnë më 16 nëntor, në orën 13:00, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg”, tha Gucati.

Protesta në Strasburg mbahet pas atyre që u organizuan në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë ku dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.