Qytetarët serbë të Kosovës në Mitrovicë të Veriut po votojnë në mënyrë të organizuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që dirigjohet nga Beogradi.

Një numër i qytetarëve janë mbledhur në sheshin kryesor të Mitrovicës së Veriut “Korzo”, afër “Car Llazarit” dhe pastaj janë nisur për të votuar.

Në këto organizime janë parë edhe drejtuesit e Listës Serbe, përfshirë kryetarin e saj, Zlatan Elek dhe nënkryetarin Igor Simiç.

Ndryshe, sot në Kosovë janë duke u zhvilluar zgjedhjet lokale në të gjitha komunat (38).

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se procesi i votimit ka nisur të gjitha qendrat e votimit.

“Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës, me përjashtim të ndonjë vonese në ndonjë votim të caktuar”, tha Elezi në një konferencë për media.

Ai bëri të ditur se procesi i votimit zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2625 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra të rregullta, pra për votimin e rregullt, me 2571 vendvotime.

Ndërkaq, 38 qendra të tjera, nga një për çdo komunë  me 54 vendvotime, janë hapur për të mundësuar votimin me kusht.

Sipas listës së votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 2 milionë e 25 mijë e 105 qytetarë, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna të vendit.