Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar në Debat Plus mënyrën se si janë zhvilluar negociatat për zgjedhjen e presidentit.
Hoti tha se pas dështimit të bisedimeve për Qeverinë me Vetëvendosjen, grupi parlamentar i LDK-së kishte vendosur të tërhiqej nga bisedimet për presidentin.
Megjithatë, sipas tij, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte vazhduar negociatat.
“Abdixhiku flet në emër të LDK-së, por grupi parlamentar ka vendosur që të ndërpriten bisedimet. Le t’i bëjë VV-ja institucionet, i ka votat”, tha Hoti.
Ai u ankua edhe për mungesë të informimit të grupit parlamentar lidhur me negociatat dhe emrat e mundshëm për president.
“Nuk kemi pasur asnjë informatë tjetër deri te mbledhja e grupit parlamentar që u mbajt para disa ditësh. Asnjë informim për negociatat për presidentin, ditë pas dite, për emrat për president”, deklaroi Hoti.
Hoti kritikoi edhe kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
“Bekim Sejdiut i mungon edhe integriteti, pavarësia në vendimmarrje dhe balanci në institucione”, tha ai.









