Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas kërkesës së kësaj partie drejtuar presidentes për kthimin në Kuvend të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Përmes një postimi në Facebook, Gruda ka mbrojtur ligjin që e ka hartuar bashkë me ekipin e tij, duke thënë se ai nuk përmban asnjë gabim.

“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj”, ka shkruar Gruda.

Ai ka thënë se ligji është konsultuar me të gjithë ata që është dashur të konsultohen, duke shtuar se qëndron prapa çdo shkronje të tij.

“Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.

Gruda ka thënë se do të kishte preferuar që debati të përqendrohej te zbatimi i ligjit dhe jo te rihapja e diskutimeve për të.

Megjithatë, ai ka theksuar se nëse Kuvendi e rishqyrton atë, procesi duhet të zhvillohet me përgjegjësi dhe argumente juridike.

“Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij”, ka shkruar ai.

Në fund, Gruda ka thënë se nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe se synimi i ligjit është drejtësia e pavarur që, sipas tij, mbron luftën çlirimtare të Kosovës.

“Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj”, ka përfunduar Gruda.