Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dhënë përkrahje protestës që do të mbahet këtë të diel, në Stasburg të Francës kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Në mbështetje të të gjithë shqiptarëve që nesër protestojnë në Strasburg, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kundër padrejtësisë ndaj UÇK-së!”, shkroi Rama në Facebook.
Prishtina, siç thotë ai, kryeqyteti i Kosovës “është me ju”.
Protesta në Strasburg mbahet pas atyre që u organizuan në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë ku dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër Gjykatës Speciale.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









