Oda Ekonomike e Kosovës ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), duke kundërshtuar detyrimin e bizneseve që të kalojnë menjëherë në tregun e lirë të energjisë.
“Liberalizimi i tregut të energjisë nuk mund të bëhet me imponim, por vetëm me një proces të drejtë, transparent dhe me faza tranzicioni, ashtu siç ndodh në vendet me ekonomi funksionale”, ka shkruar në Facebook, Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve.

Më 12 gusht, Gjykata Komerciale e shkallës së dytë kishte vendosur në favor të ZRRE-së, duke i hapur rrugë liberalizimit të tregut. Vendimi parashihte që të gjitha bizneset me mbi 50 punëtorë të kalojnë në tregun e hapur të energjisë – një masë që prek rreth 1,300 kompani.
Të shtunën, Kompania për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS, bëri me dije se ka nisur shkyçjet masive të bizneseve që nuk kanë dalë në tregun e lirë. KEDS po ashtu njoftoi se kanë nisur shkyçjen e rreth 450 bizneseve.