Një numër i madh inspektorësh të Agjencisë së Ushqimit e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë kanë zbaruar këtë të enjte (2 korrik) në qumështoren “Vita” në Istog. Të njëjtit, sipas drejtorit të kësaj qumështoreje, Artan Spahiu, kanë kërkuar llogari pse prodhuesi ka ulur sasinë e pranimit të qumështit nga fermerët, ndonëse siç thotë ai, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Spahiu thotë se “Vita”, pavarësisht veprimeve të sotme të AUV-it, ka pranuar “2 milionë e 300 mijë litra qumësht më shumë se sa viti i kaluar”.

“Arsyeja se na kemi thanë që me datën 7, pikat grumbulluese, jo fermerët tanë, por pikat grumbulluese, sasia do të ulet përgjysmë. Arsyeja është që ne i kemi dy milionë litra të cilat ka 3-4 muaj që kemi njoftu dhe nuk kanë marrë masa as Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, njëkohësisht as ministri. Për hir, ne kemi pranu rreth 2 milionë e 300 mijë litra më shumë se sa viti i kaluar, por ministri nuk ju ka dokë aq dhe sot ka ardhë me njëfarë torture. Nuk e kam pa asnjëherë që të vijnë 25 inspektorë pa paralajmërim”, ka thënë Spahiu.

Nga ana tjetër, Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka thënë se kontrollet që po zhvillon AUV, janë “normale dhe të rregullta”.

“Kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Njëjtë edhe kjo sot në kompaninë “Vita. Këto veprime kryhen për të verifikuar respektimin e protokolleve të prodhimit, shkallën e zbatimit të normave ligjore, licencave dhe autorizimeve, si dhe përputhshmërinë e operatorëve ekonomik me kërkesat ligjore”, ka shkruar Muja.