Kur fermeri Tafë Çekaj, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, protestoi ndaj politikave të Qeverisë së Vetëvendosjes për fermerët dhe kur qytetarja Aulonë Memeti denoncoi kushtet e tmerrshme në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pushteti i Vetëvendosjes nuk u mor aspak me shqetësimet e tyre reale, por zgjodhi që t’i sulmojë, t’u bëjë presion, denigrojë dhe etiketojë në forma të ndryshme.
Të dielën, qytetarja Aulonë Memeti, e frustruar nga trajtimi dhe kushtet aspak të pranueshme në Klinikën e Pediatrisë, shqetësimin se ku po e trajtonte fëmijën e saj e bëri publik.
Fotografitë e shtretërve dhe nga dhoma u shpërndanë gjithandej.
Në vend që institucionet ta trajtonin denoncimin si alarm për të përmirësuar gjendjen, Memeti bëri të ditur se, pas reagimit të saj, është përballur me presion.
Sipas rrëfimit të saj, personeli në Pediatri e ka vizituar në dhomën ku po qëndronte me fëmijën e saj, duke kërkuar “t’i verifikojë ato që kishte shkruar paraprakisht”.
Përveç presionit që vetë e tregoi, pati sulme nëpër rrejte sociale, por edhe nga eksponentë të Vetëvendosjes.
Ish-deputeti Egzon Azemi, tentoi që, përkundër pamjeve të publikuara, kushtet dhe investimet në QKUK t’i paraqesë ndryshe. Ai nuk u more fare as me presionin dhe trajtimin ndaj pacientëve.
Pasi presioni publik u rrit, QKUK-ja njoftoi se ka nisur hetim administrativ lidhur me këtë rast.
Konstatuan se pas verifikimeve fillestare u gjetën parregullsi dhe u dhanë masa ndaj disa punonjësve: u suspendua një punëtor teknik dhe u morën masa ndaj 4 infermierëve.
Në vend se të merret me shqetësimin e një nëne, ish kandidatja e VV-së, Elvira Ibrahimi Hoti – që është nënë vetë, tentoi ta politizojë situatën, duke akuzuar të tjerët për gjendjen në shëndetësi.
“E njëjta klase politike që për vite me radhe e ka qeverisur sistemin shëndetësor, sot po sillet sikur problemet kane lindur dje. Para se ta drejtojnë gishtin nga të tjerët, do të ishte mirë ta drejtonin njëherë nga vetja. Qytetarët duhet të vazhdojnë të kërkojnë llogari dhe përmirësim. Por, dhimbja e tyre nuk duhet të bëhet mjet për beteja partiake. Ajo duhet të shërbejë si shtysë qe sistemi të bëhet më i mirë, jo si armë për ta bllokuar çdo përpjekje për ndryshim”, deklaroi ajo, pa harruar të përmend se në pushtet, partia që ajo iu bashkua, është tash e 6 vjet.
Rastin në Pediatri tentuan të relativizojnë e devijojnë edhe zyrtarë e mbështetës tjerë të partisë në pushtet.
Po aq domethënës është edhe rasti i fermerit Tafë Çekaj.
I revoltuar nga politikat e Qeverisë ndaj fermerëve, ai derdhi qumështin si formë proteste. Çekaj dhe fermerë të tjerë protestuan pas inspektimeve të shtetit në qumështoren VITA.
Në vend që protesta e tij të shërbente si pikënisje për debat mbi gjendjen e bujqësisë dhe trajtimit të bizneseve nga shteti, vëmendja u zhvendos tek sulmet personale.
Përfaqësues dhe mbështetës të Vetëvendosjes, deputetja Ardiana Matoshi njëra ndër to, e etiketuan me fjalët më të rënda, duke e quajtur, ndër të tjera, “langarec” e “shërbëtor të oligarkëve”, pavarësisht se bëhet fjalë për një veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky nuk është një rast i izoluar.
Sulmet ndaj ushtarëve të UÇK-së në qeverisjen e Vetëvendosjes kanë qenë të vazhdueshme.
Ishte bërë një terror i paparë online ndaj dasmës së Luan Haradinajt, djalit të dëshmorit Shkëlzen Haradinaj, e nipit të Ramush Haradinajt.
U sulmua e fye edhe Rifat Jashari, vëllai i Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Natyrisht, nga një militante e Vetëvendosjes, e cila pozon me Ushtruesen e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e eksponentë të lartë të VV-së.
“Po poshtë e paska qitë veten ky gergjuli plak Rifat Jashari… E ky matufi plak që nuk i vjen marre prej plisit që e mban në kokë…”, shkruante ndër të tjera aktivistja e Vetëvendosjes, Xhevrie Ademi, për Rifat Jasharin, pasi që ky i fundit po priste për ngushëllime njerëzit bashkë me Kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, në të pamën për ish-Komandantin Sahit Jashari.









