Tri vite pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, Kosova dhe partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar sërish që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Ambasada Britanike ka kujtuar Bunjakun dhe ka vlerësuar reagimin e Policisë së Kosovës, duke theksuar se “llogaridhënia mbetet thelbësore”.

“Personat përgjegjës, përfshirë Milan Radoiçiçin, ende nuk janë përballur me drejtësinë”, thuhet në reagim, ndërsa autoriteteve serbe u është bërë thirrje që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar llogaridhënie.

Edhe Ambasada e SHBA-së ka nderuar Afrim Bunjakun dhe ka përsëritur thirrjen që “autorët të mbahen përgjegjës”.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se grupi i armatosur që kreu sulmin ishte “i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi”.

Kurti ka thënë se qëllimi i sulmit ishte konflikti i armatosur dhe më pas aneksimi i veriut të Kosovës, ndërsa ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimin e personave përgjegjës.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se drejtësia për vrasjen e Bunjakut mbetet e paplotë “deri në arrestimin dhe përballjen me drejtësinë të të gjithë terroristëve”.

U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ,Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te varri i Bunjakut mëngjesin e ditës së sotme.