Mitehat Llozhani, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare Batrovci, mes Kroacisë dhe Serbisë, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.
MPJD-ja kanë thënë se kanë kërkuar angazhim ndërkombëtar për lirimin e tij, ndërsa ka njoftuar se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kërkuar nga ajo e Serbisë në Kosovë konfirmimin e arrestimit e arsyet për ndalimin e tij.
Zyra e Kosovës në Serbi ka njoftuar për rastin edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd me qëllim për “sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtar në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Kosovës”.
Në njoftimin e MPJ-së theksohet se ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, “është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Llozhani”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të “rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
Kjo nuk është herë e parë që Serbia arreston shtetas të Kosovës. Një nga arsyet më të shpeshta ka qenë për shkak se ata kanë qenë punonjës në institucionet e sigurisë së Kosovës, apo ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.









