Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ende e konsideron ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiun, kandidat për President të Kosovës, pavarësisht se Sejdiu është tërhequr publikisht nga kandidatura.
Kurti tha se, nga pikëpamja e Vetëvendosjes, marrëveshja me LDK-në ende është në fuqi dhe se për këtë arsye nuk kanë një emër tjetër për President.
“Sa i përket kandidatit, ne e kemi Bekim Sejdiun. Ai është tërhequr kur marrëveshjen e kanë shkelur e braktisur 6 deputetë të LDK-së. Ishte vendim i kushtëzuar i tij nga situata e shkaktuar pas moszbatimit të vendimit të kryesisë së LDK-së. Nga pikëpamja e VV-së ne kemi marrëveshje dhe duhet ta respektojmë atë. Nuk kemi emër të ri për President, nëse do të jetë në të ardhmen do të njoftoheni”, tha Kurti.
Ndaj deklaratës së Kurtit ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ia ka rikujtuar kryeministrit se Sejdiu tashmë është tërhequr nga kandidatura.
“Si mund të thirret dikush në një marrëveshje kur vetë personi i përfshirë në atë marrëveshje është tërhequr nga kandidatura?!”, ka shkruar Hoti.
Ai ka theksuar se një marrëveshje mes dy kryetarëve të partive nuk mund të shndërrohet në detyrim për deputetët e Kuvendit.
“Kushtetuta është shumë e qartë: deputetët, si përfaqësues të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi. Marrëveshjet politike mund të ndryshohen”, ka deklaruar Hoti.
Hoti ka thënë se LDK-ja është e gatshme të votojë një kandidat të propozuar nga kjo parti, ndërsa ka shtuar se alternativa e tyre është zgjedhja e zgjedhjeve të reja, e jo “nënshtrimi politik”.
“Marrëveshjet politike mund të negociohen, por jo Kushtetuta e Kosovës”, ka përfunduar ai.









