Këtë të enjte janë bërë shtatë (7) ditë që nga dita kur Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e ktheu në Kuvend Ligjin për Dhomat e Specializuara për rishqyrtim, por ende nuk është caktuar asnjë mbledhje e Komisionit për Legjislacion e as nuk ka pasur ndonjë iniciativë për ta rishqyrtuar.
Presidentja e njoftoi vendimin për kthimin e ligjit më 22 tetor, pas kërkesës zyrtare të Partisë Demokratike të Kosovës për ta kthyer, e cila është edhe hartuese dhe inicuese e këtij ligji.
Për kushtetutshmërinë e tij, ligji ishte kontestuar ende pa u miratuar, por PDK-ja insistonte që ta miratonte të tillë, ndërsa pas miratimit kërkoi kthimin e tij në Kuvend.
Ushtruesja e Detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, tha se kërkesa për kthimin e Ligjit nuk është tërheqje prej tij, por, sipas saj, qëllimi është “që të hiqet çdo mëdyshje”.
Nga ana tjetër, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ka hapësira për ndryshime ligjore apo amendamente të tjera në Ligjin për Gjykatën Speciale.
“Nuk ka hapësira për të bërë ndryshime ligjore ose amendamente të tjera sepse këtë çështje e ka sqaruar Gjykata Kushtetuese në një aktgjykim të mëhershëm”, tha Haxhiu më 23 tetor.
Haxhiu theksoi se çështja e ligjit do të trajtohet në Komisionin për Legjislacion. “Kuvendi do të vendosë do të ketë ligj apo nuk do të ketë ligj”, shtoi ajo.
Kuvendi ka katër javë kohë që ta rishqyrtojë Ligjin. Deri më tani ka kaluar një javë. Asnjë veprim nuk është ndërmarrë.
Kuvendi e miratoi ligjin në mbrëmjen e 6 tetorit me 88 vota pro, pa asnjë kundër dhe pa abstenime, një ditë pasi e kishte kaluar në lexim të parë me 91 vota. Votimi u bë në seancë të jashtëzakonshme, pas marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së që menjëherë pas tij të zgjidhej presidenti. Shiroka-Pula u zgjodh pak minuta më pas.
Nisma e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Specialen u dorëzua më 21 shtator, pesë ditë pasi Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burg, Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13.









