Gjatë javëve të fundit, kronika e zezë ka mbizotëruar titujt kryesorë në Kosovë, e ushqyer nga një sërë ngjarjesh tronditëse.
Nga të shtënat me armë në mes të qytetit, te vrasjet që dyshohet se nisën nga konflikte të përditshme, rastet kanë pasur pak të përbashkëta në motiv, por një element të njëjtë: Fatalitetin.
Rasti më i fundit ndodhi të enjten në qendër të Podujevës. Në mes të ditës, para dhjetëra kalimtarëve, katër persona mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri. Sipas informacioneve të para, viktimat dhe i dyshuari kishin lidhje të afërta familjare.
Vetëm katër ditë më herët, më 29 qershor, një imam nga Dragashi u vra me thikë. Autoritetet dyshojnë se autori ishte një bashkëfshatar, ndërsa konflikti që çoi në vrasje lidhej me një mosmarrëveshje për kositjen e barit në një livadh.
Një ditë më parë, më 28 qershor, një tjetër ngjarje tronditi Ferizajn. F.H., për të cilin më pas u bë e ditur se ishte nën aktakuzë për dhunim në bashkëkryerje ndaj një të miture, u vra me armë zjarri. Për këtë rast, policia dyshon se autorja është e dashura e tij.
As maji nuk ishte më pak i rëndë.
Më 27 maj, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, A.H. u vra me armë zjarri. Dëshmitarët thanë se personi që shtiu ishte i maskuar dhe u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Njëmbëdhjetë ditë më herët, më 16 maj, në fshatin Kobaj të Prizrenit, një konflikt mes kushërinjsh përfundoi me vrasje. Sipas Policisë, viktima humbi jetën nga plagët e shkaktuara me një mjet të mprehtë.
Ndërkohë, reagimet institucionale kanë qenë të kufizuara.
Raportet ditore të Policisë vazhdojnë të tregojnë konfiskime armësh, por nuk janë shoqëruar me njoftime për masa të reja parandaluese, strategji të përditësuara apo edhe iniciativa publike.
Në një kohë kur vendi mbetet në ngërç institucional e krerët i ikin pyetjeve të gazetarëve, çështja e sigurisë publike ka mbetur në plan të dytë.
Për familjet e prekura nga këto ngjarje, megjithatë, pasojat nuk presin zgjidhjen e krizës politike.
Vendit i duhen veprime konkrete.
Kujtojmë që në vitin 2025, në Kosovë ishin regjistruar 18 vrasje.









