Mblidhet Kryesia e PDK-së: Qeveria e papërgjegjshme dhe qytetarët në krizë, zgjedhjet e reja duhet të sjellin stabilitet e zhvillim
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thënë se rruga e vetme për daljen nga situata në të cilën gjendet Kosova është përmes zgjedhjeve të reja, derisa e kanë cilësuar si të papërgjegjshme Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.
Këto komente, PDK-ja i ka bërë pas mbledhjes që kanë mbajtur të martën, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike, situatën institucionale në vend dhe për procesin e riorganizimit të brendshëm të partisë.
Sipas njoftimit, Kryesia e PDK-së ka vlerësuar se “papërgjegjësia e shumicës parlamentare ka prodhuar këtë situatë të panevojshme dhe të dëmshme për stabilitetin e vendit”.
Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedh Presidentin e ri në seancën e 5 marsit për shkak të mungesës së kuorumit. Pas kësaj, Presidentja Vjosa Osmani shpërndau parlamentin. Dekreti i saj u përkrah nga opozita, ndërsa u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo parti e dërgoi në Kushtetuese dekretin, e cila vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars.
Prandaj, PDK-ja beson se rruga e vetme për dalje nga kjo situatë “është kthimi te qytetari përmes zgjedhjeve të reja, të cilat do t’i japin vendit institucione me legjitimitet të plotë dhe drejtim të qartë politik”.
Gjatë mbledhjes, Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka theksuar se procesi i riorganizimit të brendshëm të partisë “është i lidhur drejtpërdrejtë me gatishmërinë për të ofruar një alternativë serioze dhe të përgjegjshme qeverisëse”.
“PDK po riorganizohet për të qenë më afër qytetarëve dhe për të ndërtuar një ofertë të qartë politike që garanton stabilitet dhe zhvillim. Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe vendimmarrje të përgjegjshme, jo për improvizime dhe kriza të njëpasnjëshme”, deklaroi Hamza.
Në takim, Kryesia e PDK-së ka ngritur gjithashtu shqetësimin për gjendjen ekonomike në Kosovës, duke vlerësuar se Qeveria “po dështon t’i adresojë problemet reale të qytetarëve”.
“Partia Demokratike e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për stabilitet institucional, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare, duke u angazhuar që përmes një qasjeje të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse të rikthejë besimin në institucione dhe perspektivën e qartë për vendin”, thuhet në njoftimin e PDK-së.









