Gjykimi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përjetojë një kthesë në fund të gushtit me rikthimin e seancave në Hagë.
Themeli i aktakuzës së Prokurorisë Speciale – ku UÇK portretohet si Ndërmarrje e Kriminale e Përbashkët – pritet të sfidohet nga dëshmitë e profileve të larta ndërkombëtare, politike e ushtarake, që kanë lënë gjurmët e tyre historike gjatë viteve 1998-1999 – kur populli i Kosovës po përballej me gjenocidin serb.
Në karrigen e dëshmitarëve në Hagë kanë pranuar të ulën Ish Komandanti i NATO-s, Wesley Clark, Ish Kryeadministratori i UNMIK-ut, Bernard Kouchner, Ish Shefi i Misionit Vëzhgues në Kosovë, William Walker, Ish Shefi i OSBE-së, Dan Everts, si dhe disa ish zyrtarë tjerë ndërkombëtarë.
Ata do të jenë aty si dëshmitarë të mbrojtjes se Hashim Thaçit, një rast i rrallë ky në gjykimet për krime lufte – kur personalitete me peshë ndërkombëtare rreshtohen në anën e palës që akuzohet.
Për dy vjet, në sallën e gjykimit dhe në dosjet e saj, Prokuroria Speciale ndërtoi një proces që u quajt i padrejtë – për shkak se kriminalizoi tërë UÇK-në, dhe u konsiderua i kontaminuar – për shkak se u shërbye me dokumentacione nga organet e shtetit serb.
Përballë këtij narracioni do të dalin, ndër të tjerë, Clark, Kouchner, e Walker – si dëshmitarë autentikë të një periudhe të rëndë – ajo e luftës dhe e çlirimit nga regjimi i Slobodan Millosheviqit në vitet ‘98-‘99 – për të cilën akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Secili prej tyre ka një histori të rëndësishme kontributi për Kosovën. Gjenerali amerikan Wesley Clark – që kishte udhëhequr avionët e NATO-s në fushatën 78-ditëshe bombarduese kundër caqeve ushtarake të Serbisë – konsiderohet nga populli i Kosovës si një prej shpëtimtarëve të tij.
Ambasadori Walker – që ishte monitorues aktiv gjatë luftës në Kosovë dhe që me raportin e tij për masakrën e Reçakut nxiti Perëndimin për reagim më të shpejtë politik e ushtarak – konsiderohet si zëri që shpërndau të vërtetën në botë.
Mjeku francez, Bernard Kouchner – që ishte Kryeadministrator i Kosovës në një fazën jo të lehtë të tranzicionit të pasluftës – konsiderohet si njeriu që ndihmoi në ngritjen e Kosovës, dhe ndihmoi në rrënimin e tregimeve të pabesueshme për trafikim organesh.
Të tre këta e njohin mirë rolin e UÇK-së në luftë dhe pas saj, dhe kanë përgjigjet e tyre nëse ajo ishte apo jo një Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët.
Nëse ky pretendim i Prokurorisë rrëzohet nga dëshmitarë të rëndësishëm ndërkombëtarë, atëherë paneli i gjyqtarëve do të përballet me një moment kur i duhet të vendosë se si do të mbahet në mend. Si një trupë që vlerësoi dëshmi kredibile dhe nuk pranoi të lëkunden themelet e drejtësisë, apo si një trupë që zbuti faktet dhe forcoi qasjen politike.
Ta njohë të vërtetën e Kosovës, apo ta rishkruajë historinë e saj.