Në sallën e gjyqit të Gjykatës Speciale në Hagë po ndodh një kthesë historike. Të njëjtat figura që dikur, në vitin 1999, kishin mbrojtur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – dhe bashkë me të e kishin mposhtur regjimin e Slobodan Millosheviç-it – po e bëjnë sërish – këtë herë përballë akuzave për krime të pretenduara lufte dhe “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale” që Prokuroria Speciale i ka ngarkuar ish-krerëve të UÇK-së.
Në Hagë kanë dëshmuar emra të mëdhenj të diplomacisë perëndimore: James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë; Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujes; John Duncan, ish-këshilltar i gjeneralit Wesley Clark; dhe Jock Covey, që pas çlirimit shërbeu si zëvendëskryeadministrator i Kosovës në misionin e OKB-së (UNMIK).
Të gjithë kanë sjellë në sallë kujtesën e një lufte që bota demokratike e njohu dhe e mbështeti si të drejtë.
Dëshmitë e tyre e konsiderohet se kanë rrëzuar narrativen e Prokurorisë e cila e ka portretizuar UÇK-në, atë që luftoi përkrah NATO-s në çlirimin e Kosovës, si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Rubin, si dëshmitar i parë i mbrojtjes, rrëzoi pretendimet e Prokurorisë për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” dhe e paraqiti Hashim Thaçin si përfaqësues politik, pa autoritet vendimmarrës mbi strukturat e UÇK-së.
“Unë jam takuar me komandantët dhe kam parë raportin e tyre me Hashimin, këta komandantë i kanë treguar atij çfarë të bënte, jo Hashimi atyre”, deklaroi Rubin.
Rubin, që e kishte njohur Thaçin në rrethana aspak të favoshme, në kohë të luftës, e përshkroi atë si “një lloj ministri të jashtëm”, një figurë që thjesht transmetonte vendimet e komandantëve të UÇK-së dhe se operonte “në rrethana të vështira”.
“Hashimi ishte shumë i ri, 30 vjeç, personat e tjerë, komandantët ishin të vjetër, ai nuk ishte përgjegjës nuk kishte njohuritë, apo kompetencën për të marrë vendime”, tha ai.
Sipas tij, gjatë Rambujes, Thaçi vepronte në bazë të direktivave që merrte nga udhëheqësit e UÇK-së: “Ajo që ai kishte ishte dëshira e komandantëve që ai ta nënshkruante marrëveshjen”.
Rubin ironizoi me pretendimet për një “Shtab të Përgjithshëm” të UÇK-së apo “Qeveri të Përkohshme”.
“Thjesht po them që ato emërime ishin aspirata… Unë nuk kam parë asgjë në Kosovë që i përngjante Shtabit të Përgjithshëm. Nuk ka pas ndonjë Shtab për gjeneralët në kontekstin e Kosovës. Unë s’kam pa ndonjëherë gjeneral. Unë s’kam pa ndonjëherë Shtab të Përgjithshëm të gjeneralëve”, tha ai, duke shtuar: “Të përshkruash një vend me një çadër dhe dy karrige si zyrë të Shtabit të Përgjithshëm më duket absurde”.
Nuk u kursye as në kritika për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Rubin shprehu shqetësim për faktin që të akuzuarit qëndruan pesë vjet në paraburgim.
“Fakti që i akuzuari ka qenë në burg për pesë vjet, pasi vetë ofroi të paraqitej në gjykatë… më shqetësoi. Që politika të ndërhyjë në sundimin e ligjit, kjo më shqetëson”, tha ai.
Ai theksoi se kjo nuk është drejtësi: “Pse duhej të ishte në burg për pesë vjet para se të fillonte gjyqi? Kjo më goditi si jo lloji i sundimit të ligjit që kisha shpresuar”.
Në të njëjtën linjë ishin edhe dëshmitarët e tjerë.
Përveç tyre, si dëshmitar i mbrojtjes tashmë është konfrimuar edhe Ëesley Clark, ish-Komandanti i Aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur bota, NATO-s, gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Ai që dikur komandonte avionët që çliruan Kosovën dhe u koordinua me UÇK-në, tani do të jetë zëri që mbron ata që luftuan në tokë për të njëjtin ideal.
Clark ishte akteri kryesor në ndërhyrjen e NATO-s për ta larguar regjimin e Serbisë nga Kosova. Pikërisht për këtë arsye, dëshmia e tij konsiderohet se do ta sfidojë fuqishëm narrativen e Prokurorisë së Hagës për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”. Sepse, nëse UÇK-ja do të ishte një organizatë kriminale, siç pretendon Prokuroria, atëherë vetë NATO – e cila bashkërendonte veprimet me të – do të duhej të akuzohej për të njëjtin “krim”. Clark pritet t’ia rikujtojë Hagës se ajo që po tenton ta kriminalizojë sot, ishte partneri i saj i djeshëm në një luftë të drejtë për çlirim.
26 vite pas luftës, historia po përsëritet: bota po e mbron sërish UÇK-në – këtë herë jo me raketa dhe diplomaci, por me dëshmi dhe kujtesë, të cilat tregojnë të vërtetën e UÇK-së.









