Albin Kurti, personi që aktualisht mban pozitën e kryeministrit në detyrë, ka qenë një nga denigruesit dhe ofenduesit më të ashpër ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa tani, i veshur në kostumin e qeveritarit, po bën thirrje që të mos bëhet “anti-fushatë”, ndaj policisë, kjo pas rastit të vdekjes së 27-vjeçarit, Agon Zenjullahu, në duart e zyrtarëve policorë.
Kurti opozitar pretendonte se policët s’janë patriotë.
“Nuk kam shpresë në sundim të ligjit, në zbatim të ligjit prej kësaj policie, të cilës nuk i ka mbetur asnjë gram patriotizëm, ua kanë dhunuar tre policë në Dumnicë, xhandarmëria serbe ua ka shtrirë në dushk të malit ratë…”, thoshte Kurti në një intervistë televizive.
Në të njëjtin avaz, Kurti i kishte etiketuar me terma ofendues policët.
“O majmun, në Mitrovicë, në urë të Ibrit t’i kanë poshtëru, t’i kanë poshtëru, kolegët e tu në Dumnicë, s’tu ka ni zani, s’tu ka ni, ik tash”, i thoshte Kurti një polici në një nga protestat e VV-së, derisa e ndiqte nga mbrapa policin, i cili i shmangej përballjes me të.

Përveç fyerjeve dhe denigrimeve, në një rast edhe i kishte kërcënuar me ton të lartë disa policë.
“Ku mem izolu bre, çfarë izolimi, kush je ti mem izolu mua bre? Kush je ti mem izolu mua bre, po t’i duhet me m’u përgjigj mua, mua më kanë votuar qytetarët”.
Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje e kishin gjuajtur me gurë dhe sende të tjera të forta Policinë e Kosovës gjatë protestave që kjo parti organizonte gjatë viteve 2015-2017, në kundërshtim të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Si pasojë e këtyre protestave të dhunshme, disa policë kishin marr edhe lëndime trupore.

Por, si qeveritar ka vlerësim dhe qëndrim tjetër ndaj policëve. Madje, bën thirrje që të mos bëhet “anti-fushatë” ndaj tyre.
Këtë e bëri të mërkurën e 9 korrikut gjatë mbledhjes së Qeverisë, ku ka kërkuar hetim të plotë për rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut nga organet përkatëse.
“Pres hetim të thellë dhe të shpejtë që zbardh të gjitha rrethanat, në mënyrë që të vendoset drejtësia dhe të ketë llogaridhënie. Tendenca që të nis një anti-fushatë ndaj Policisë është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje”, ka thënë Kurti.
Përmes hetimit dhe vendimeve institucionale ai tha se mund të arrihet drejtësia dhe të parandalohen rastet e tilla në të ardhmen.









