Në nëntor të vitit 2016, David Schwendiman doli për herë të parë para gazetarëve në rolin e Kryeprokurorit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Mes tjerash, ai vendosi një vijë të qartë midis ligjit dhe politikës.
“Unë do të marr vendime mbështetur vetëm në fakte – faktet që kemi dhe do të vazhdojmë t’i mbledhim – si dhe në interpretimin tonë më të mirë të ligjit, e jo mbi atë se nëse ajo që vendos të bëj ka pasoja apo implikime politike, diplomatike apo të ndonjë natyre tjetër”, David Schwendiman.
Schwendiman ishte emëruar si Kryeprokuror për një mandat katërvjeçar.
Por, një telefonatë në shkurt të vitit 2018, pas vetëm dy vjetësh në detyrë, shënoi një kthesë të papritur në Hagë.
Siç duket, brenda korridoreve të diplomacisë perëndimore, pritjet ishin që ai të vepronte me aktakuza të shpejta.
Dhe koha e tij në Hagë mbaroi.
“Unë nuk dhashë dorëheqje – thjesht qeveria ime më tha se koha ime mbaroi dhe unë e pranova”, David Schwendiman.
Skena ishte për Jack Smith – prokurorin kontravers që për më pak se dy vjet përmblodhi një aktakuzë me të gjitha rastet e trajtuara më parë nga drejtësia ndërkombëtare dhe ajo në Kosovë, duke e portretizuar UÇK-në si një “Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët”.
Ai do ta lëshonte njoftimin për aktakuzën në qershor 2020, pikërisht kur po përgatitej një takim i rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë, në praninë e presidentit Donald Trump.
Për Schwendiman, drejtësia nuk mund të bëhej me ngut dhe pa prova të forta.
Ai e ndau këtë reflektim pak kohë pas përfundimit të detyrës.
“Kam udhëzuar që të bëhet një vlerësim i mëtejshëm për të përcaktuar nëse duhet të ngrihen aktakuza, përkatësisht nëse një akuzë e propozuar mbështetet në: prova që do të jenë në dispozicion për t’u paraqitur gjatë gjykimit; dhe prova që, pasi t’i nënshtrohen shqyrtimit nga një mbrojtje e mirëinformuar, e përgjegjshme dhe e vendosur, ka të ngjarë të jenë të mjaftueshme, si për nga sasia, ashtu edhe për nga cilësia, për të rezultuar në shpalljen fajtorë të të akuzuarve, në lidhje me secilin të akuzuar dhe secilën akuzë të propozuar për konfirmim, me aktgjykime fajësie që mund të qëndrojnë edhe në rast ankimi”, David Schwendiman.
Mes rreshtave, ai dha sinjale se diplomacia evropiane kërkonte veprime me çdo kusht dhe sa më shpejt.
“Donatorët që veprojnë me qëllime të mira duhet të kenë kujdes që të mos i bëjnë institucionet si Zyra e Prokurorit edhe më të cenueshme, duke mos e kuptuar natyrën e hetimeve penale dhe të procedurave të ndjekjes penale për krimet mizore, si dhe duke kërkuar prej tyre më shumë sesa mund të përballojnë. Ata mund të presin që hetimet dhe ndjekjet penale të përmbyllen brenda një kohe relativisht të shkurtër, me burime që mund të mjaftojnë në rastet kur ekziston një sistem gjyqësor i konsoliduar”, David Schwendiman.
Pas largimit të Schwendiman-it, në maj të vitit 2018, në krye të Prokurorisë u emërua Jack Smith – një figurë që më vonë do të kontestohej për mënyrën e veprimit.
Smith përpiloi shpejt një aktakuzë, e shpalli atë publikisht pa qenë tërësisht gati, arrestoi katër krerët e UÇK-së, e portretizoi lehtësisht UÇK-në si ndërmarrje kriminale dhe mbajti një linjë të fortë raportuese me Bashkimin Evropian.
Një muaj pas dërgimit në Hagë të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, në dhjetor 2020, Jack Smith dhe kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, u takuan me ambasadorët e vendeve të BE-së si financues të Speciales.
Aty, pa filluar ende gjykimi, pa u dëgjuar provat e dëshmitarët dhe pa u kundërpërgjigjur mbrojtja, u shpërndanë dënime te përjetshme për krerët e UÇK-së.
Më vonë, Jack Smith do ta linte Hagën për misionin e tij të ri në SHBA për ndjekjen penale të Donald Trump – njeriut që ia trazoi takimin e qershorit 2020.
Gjykimi në Hagë nuk do të niste për tre vjet me radhë, dhe edhe kur filloi, ai u zhvillua i mbyllur në masën më të madhe, me veprime të koordinuara të mekanizmave brenda Speciales dhe jashtë saj në BE.
Më 16 shtator, pas një procesi me shumë shkelje të konstatuara edhe nga organizatat ndërkombëtare, u shpall verdikti, askund i mbështetur në prova.
Ajo që nisi në vitin 2016 si një premtim i David Schwendiman për drejtësi faktike, e ndarë nga politika, u shndërrua në një proces ku, me gjasë, presioni i donatorëve dhe interesat politike përcaktuan çekiçin e gjyqtarit, duke dëshmuar se kur politika hyri nga dera e gjykatës, drejtësia ishte e para që u arratis.








